Zgavella moderne
Përsëri në zgavellë
Përsëri në punë të detyruar...
Nuk kam më zhele,
s'më janë gjakosur duart nga lopata,
s'më dhëmbin as këmbët as krahët
nga shtytja e vagonit,
por i njëjti ajër i ndotur
në një zgavellë moderne.
Kurrizi më dhemb
i kërrusur gjithë ditën
përpara monitorit,
duke shtypur
tërë idiotësitë e botës.
Dhe kur dal nga zgavella,
nuk shoh më pyllin e gjelbërt,
nuk thith më ajrin e pastërt
të Kulmeve të Dervenit.
Endem midis thasëve të zinj
me garbixhin e ndotur të Bronxit.
Eci rrugës para vitrinave plot dritë,
para dyqaneve të mbushura plot,
me mllefin e vazhdueshëm
përse të jemi kaq të varfër,
dhe me frikën në zemër
se dikush më kall një thikë pas zverkut.
Kur dal nga zgavella,
thith ajrin e ndotur të Bronxit
dhe s'kam më shpresa të vagëta
si në Kulmet e Dervenit.
S'shoh asnjë dritë përpara
kur dal nga zgavella moderne
e Bronxit të New Yorkut.
Bronx, 29.I.l993